EPIDEMIA/ Një 2-vjeçar vdes nga fruthi në Izrael – viktima e parë në këtë shpërthim të sëmundjes

The Times of Israel ka publikuar një lajm lidhur me gjendjen që paraqitet nga fruthi. Në raportim theksohet se Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për vdekjen e një djali 2-vjeçar i cili ishte prekur nga fruthi. Djali i pavaksinuar ishte shtruar në spital dhe ishte në sistem mbështetës për jetën për disa javë.

Që kur filloi shpërthimi i fruthit në Izrael rreth tre muaj më parë, janë diagnostikuar 503 pacientë, nga të cilët 187 janë pacientë aktivë

Shumica e pacientëve të diagnostikuar së fundmi janë nga zonat e Jerusalemit dhe Beit Shemeshit.

Deri më sot, 12 fëmijë janë të shtruar në spital, të gjithë nën moshën 6 vjeç. Tre janë në kujdes intensiv dhe një është në aparatura për mbështetje jetësore. Dhjetë prej këtyre fëmijëve janë të pavaksinuar dhe dy raste janë ende duke u hetuar.

Ministria u bën thirrje prindërve të kryejnë vaksinimet e tyre rutinë, veçanërisht vaksinën kundër fruthit. Statusi i vaksinimit është i disponueshëm në regjistrin dixhital të vaksinimit në faqen e internetit të qeverisë. Informacione dhe udhëzime shtesë mund të gjenden në faqen e internetit të ministrisë.

Një foshnjë 18-muajshe e pavaksinuar që vdiq nga fruthi në Jerusalem në vitin 2018 ishte viktima e parë e regjistruar nga fruthi në Izrael në 15 vjet. Vajza ishte një nga tre izraelitët që vdiqën nga fruthi gjatë shpërthimit të epidemisë 2018-2019.