DEKLARATA E ÇUDITSHME/ Berisha pas daljes nga SPAK nën masën “detyrim paraqitje”: Aty gjeta Elvis Doçin e Troplinëve 

Ish-kryeministri Sali Berisha është paraqitur këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, për të firmosur për masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” që është caktuar ndaj tij për dosjen “Partizani”, dhe ka bërë një deklaratë “të habitshme”.

Ai është shprehur para demokratëve se ka gjetur në ambientet e SPAK, shtetasin e shpallur në kërkim Elvis Doçi, i quajtur dhe Visi i Pojës dhe i cilësuar si drejtues i kartelit të Troplinëve.

“Sot unë lashë këtë shënim: Altin Troplini, se çfarë gjeta unë aty, aty ishte Elvis Doçi. Elvis Doçi, po i varte në qafë një pllakatë Altin Troplinit, në të cilën e shpallte president i nderit i kartelit Troplini për shkallën më të lartë të bashkëpunimit dhe mbështetjes që ai i dha këtij karteli.

Por shqiptarët duhet ta dinë se ky institucion, në të cilin pa diskutim ka njerëz të ndershëm, ka burra, gra, vajza dhe djem të ndershëm, por ka kriminelë më të poshtër, më të rrezikshëm se Troplinët, se Çelët dhe se shumë të tjerë”,u shpreh Berisha.

Ish-kryeministri herë pas herë e akuzon kryeprokurorin Altin Dumani se është bashkëpunëtor i klanit të Troplinëve në Durrës, ndaj dhe sot si për të ironizuar moskapjen e Elvis Doçit, është shprehur me ironi se e ka gjetur brenda SPAK.