Kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky përshëndetën të premten ultimatumin e ri që presidenti amerikan Donald Trump i ka dhënë Rusisë, duke i kërkuar të bëjë përparim konkret për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, që vijon prej më shumë se tre vitesh.
“Të dy liderët mbështetën afatin e ri të dhënë nga presidenti Trump ndaj Rusisë, për të ndaluar taktikat bllokuese dhe për të bërë hapa të qarta drejt një marrëveshjeje paqeje”, tha një zëdhënës i Downing Street, pas një bisede telefonike mes Zelensky-t dhe Starmer.
Sipas deklaratës, Zelensky dhe Starmer ranë dakord se Rusia është pengesa e vetme për paqen në Ukrainë.
Më herët, presidenti ukrainas deklaroi se ka zhvilluar një bisedë të rëndësishme me Kryeministrin Starmer për organizimin e një samiti të liderëve botërorë mbi paqen në Ukrainë.
“Diskutuam bashkëpunimin me partnerët amerikanë, veçanërisht koordinimin me presidentin Trump dhe format e mundshme të bisedimeve paqësore në nivel liderësh”, shkroi Zelensky në platformën X.









