Apeli i GJKKO-së ka caktuar sot lënien në fuqi të dënimeve ndaj 13 shtetasve të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike.
Bazuar nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, rezultoi se 13 shtetasit ishin pjesë e një grupi kriminal, të akuzuar për trafik droge nga Siria e Turqia në Shqipëri dhe më pas në BE.
Vendimi i GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Nertina Kosova (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare), më datë 22.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 31 akti, datë 08.04.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ankimet e paraqitura nga të pandehurit S.P., A.T., F.C., V.L., A.A., Sh.P., J.Ç., B.R., P.Ç., J.M., E.K., S.S. dhe A.S., ndaj vendimit nr. 72, datë 05.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 72, datë 05.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurit S.P., A.T., F.C., V.L., A.A., Sh.P., J.Ç., B.R., P.Ç., J.M., E.K., S.S., A.S.
2. Ndryshimin e vendimit nr. 72, datë 05.12.2024 të Gjykatës së Posaçme Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurin K.R., në këtë mënyrë:
– Deklarimin fajtor të të pandehurit K.R. për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal (për episodin nr.4), e parashikuar nga nenet 283/a/1 –22- 28/4 të Kodit Penal, dhe në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.
– Deklarimin fajtor të të pandehurit K.R. për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, e parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
– Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurit K.R. me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.
– Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri K.R. me një dënim të vetëm prej 8 (tetë) vjet burgim.
– Vuajtja e dënimit për të pandehurin K.R. do të fillojë nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi, duke u përllogaritur dhe kohëzgjatja e paraburgimit, dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
3. Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel, i ngarkohen solidarisht të pandehurve.
4. Kundër vendimit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të tij.









