Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei lëshoi një paralajmërim të ashpër për Shtetet e Bashkuara pasi Republika Islamike goditi Bazën Ajrore Al Udeid në Katar. Sipas tij, ajo nuk ishte një ngjarje e vogël, por e madhe dhe që mund të përsëritet.
“Republika Islamike i dha një shuplakë të fortë Amerikës; sulmoi një nga bazat e saj kryesore në rajon, Bazën Ajrore Al Udeid, dhe shkaktoi dëme”, shkroi Khamenei në platformën “X”.
Një sulm iranian më 11 Korrik ndaj një baze ajrore në Katar, e cila është thelbësore për ushtrinë amerikane, goditi një kupolë gjeodezike që strehon pajisje të përdorura nga amerikanët për komunikime të sigurta, tregojnë imazhet satelitore të analizuara të premten nga Associated Press.
“Fakti që Irani ka qasje në qendrat e rëndësishme të Amerikës në rajon dhe mund të ndërmarrë veprime kundër tyre sa herë që e sheh të nevojshme nuk është një ngjarje e vogël; është një ngjarje e rëndësishme dhe një ngjarje që mund të përsëritet”, paralajmëroi Khamenei.
Disa orë pas publikimit të këtij raporti të AP-së, zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, pranoi se një raketë balistike iraniane kishte goditur kupolën. Katari nuk iu përgjigj kërkesave për koment në lidhje me dëmin.
Sulmi iranian ndaj Bazës Ajrore Al Udeid jashtë Dohas, kryeqytetit të Katarit, më 23 qershor erdhi si përgjigje ndaj bombardimeve amerikane të tre lokacioneve bërthamore në Iran – dhe i dha Republikës Islamike një mënyrë për t’u hakmarrë që çoi shpejt në një armëpushim të ndërmjetësuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump duke i dhënë fund luftës 12-ditore Iran-Izrael.









