NON GRATA/ “Është në interesin tonë për sigurinë kombëtare” – SHBA sanksionon zyrtarë të Autoritetit Palestinez dhe anëtarëve për Çlirimin e Palestinës (PLO)

 Shtetet e Bashkuara të enjten vendosën sanksione ndaj disa zyrtarëve të Autoritetit Palestinez dhe anëtarëve të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), duke thënë se këto grupe po i minojnë përpjekjet për paqe. Me këto masa u parandalohet personave të shënjestruar marrja e vizave për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara, tha Departamenti i Shtetit, edhe pse nuk paraqiti lista të ndonjë individi specifik. 

Departamenti i Shtetit tha se dy grupet palestineze kishin marrë veprime për ta ndërkombëtarizuar konfliktin me Izraeli, përfshirë rastet përmes Gjykatës Ndërkombëtare Penale, dhe tha se të dyja palët vazhdojnë që ta përkrahin terrorizmin.

Njoftimi i sanksioneve të SHBA-së nga Departamenti i Shtetit vjen ndërsa disa vende, përfshirë Francën dhe Britaninë, janë zotuar të njohin një shtet palestinez në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator. 

“Është në interesin tonë të sigurisë kombëtare të vendosim sanksione dhe të mbajmë përgjegjës PLO-në dhe Autoritetin Palestinez për mosrespektimin e angazhimeve të tyre dhe minimin e perspektivave për paqe”, vazhdon Departamenti i Shtetit.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së gjithashtu akuzon PLO-në dhe Autoritetin Palestinez për mbështetje të veprimeve brenda organizatave ndërkombëtare që minojnë dhe kundërshtojnë angazhimet e mëparshme. Autoriteti Palestinez, president i të cilit është Mahmoud Abbas, qeveris Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa PLO, e themeluar në vitin 1964, është lëvizja që përfaqëson palestinezët.