FUSHATA E RAMES/ Zaptimi i hapësirave publike – Kryeministri për ‘tokat e xanuna’: Gjoba deri në ndjekje penale. Pakica të kthejë atë që nuk i takon

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar personat që kanë zënë padrejtësisht hapësirat publike në Tiranë se do të përballen jo vetëm me gjoba, por edhe ndjekje penale.

Duke postuar disa foto nga zona e 21 Dhjetorit në kryeqytet, Rama tha se nuk do të ketë tolerim për këto veprime.

Situatë klasike “toke të xanun” në Tiranë, tek 21 Dhjetori – kush nuk do t’i tërheqë vetë nga hapësira publike e përbashkët barrikadat që u ka ngritur njerëzve me gjithëfarësoj objektesh, që nga tavolinat dhe frigoriferët në trotuarë e deri tek muret apo trarët e “doganave” rreth pallateve, do të ballafaqohet jo vetëm me gjobat përkatëse po edhe me ndjekjet përkatëse penale për shkatërrim të pronës publike, cënim të shëndetit e sigurisë fizike së qytetarëve dhe me radhë…

Koha për t’u bërë bashkë që të gjithë në emër të bashkëjetesës në të njëjtën lagje; shumica duke marrë mbrapsht atë që i takon dhe pakica duke kthyer mbrapsht atë që nuk i takon!