ÇESHTJA “EPSTEIN”/ Kompania mediatike publikoi një raport ku përfshihej Trump – presidenti padit me 10 miliard dollarë për shpifje Rupert Murdoch dhe Wall Street Journal

Presidenti amerikan Donald Trump ka ngritur një padi për shpifje ndaj Rupert Murdoch, dy gazetarëve të Wall Street Journal dhe kompanisë mediatike News Corp, pas publikimit të një raporti që ai e konsideron të rremë dhe shpifës.

Raporti, i botuar nga Wall Street Journal, pretendonte se emri i Trump ndodhej në një letër personale të vitit 2003 drejtuar Jeffrey Epstein, të përfshirë në një album lëkure që përmbante mesazhe urimi për 50-vjetorin e financierit famëkeq.

Letra thuhet se ishte shkruar rreth tre vite para se të shpërthenin publikisht akuzat për abuzime seksuale ndaj Epstein.

Menjëherë pas publikimit të artikullit, Trump reagoi fuqishëm, duke e quajtur raportin “gënjeshtër e qëllimshme” dhe kërcënoi me padi, e cila tashmë është depozituar zyrtarisht.

Ai akuzon gazetën dhe vetë Murdoch për shpifje dhe dëmtim të reputacionit, ndërsa mohon çdo lidhje me përmbajtjen e supozuar të letrës apo përfshirje në ndonjë formë me aktivitetet e Epstein.

Ende nuk ka reagim zyrtar nga News Corp, Rupert Murdoch apo Wall Street Journal për padinë e paraqitur.