Kryedemokrati Sali Berisha, pas daljes nga SPAK, ku u thirr sot si person në dijeni për çëshjten e lidhur me padinë e bërë ndaj gjyqtarja Irena Gjoka, tha se ajo ka kryer mashtrim publik të rëndë.
Në fjalën e tij, Berisha komentoi ngjarjet dhe vendimet ndaj gjyqtares, të cilën e quajti ‘virgjëreshë të drejtësisë’.
“Me 4 mars 2024, KLGJ nxjerr deklaratë të fuqishme në mbrojtje të Irena Gjokës në vend që të hetonte atë. Vetëm sa nuk i thotë virgjëresha e drejtësisë jo në kuptimin biologjik, por moral. Mediat e Ramës shpikin një letër nga policia që nuk është i vërtetë lajmi për Irena Gjokën.
Me 4-5 maj të vitit 2024, ishte ditë e shtunë, e dielë, Pashkë, gazeta Proto Thema nxjerr vendimin e gjykatës për dëbimin e Irena Gjokës nga Greqia. Me 14 maj, hetim pa rezultat se kërkesat e prokurorisë kalojnë nga Ulsi Manja, i cili bën ato që do.
Me 2 maj të vitit 2025, Gjykata e Janinës lëshon vendimin me vulë apostile jo vetëm për dy dëbime të delinkuentes falsifikatore Irena, simbol i narkoshtetit dhe drejtësisë së edi Ramës, por edhe vendimin penal të formës së prerë, të dënuar nga Gjykata e Janinës. Me 5 maj 2025, paraqita para jush këtu dokumentin me vulë apostile, i cili faktonte se Gjykata e Janinës e kishte dënuar atë 3 muaj burg. Me 5 maj të vitit 2025, mohon që të ishte dëbuar apo dënuar nga Greqia në një intervistë që i jep BIRN-it. Me 6 maj del prokura e vitit 2003, që Irena Gjoka kishte lëshuar për noterin në Fier për të marrë avokat që të kundërshtonte vendimet e dëbimit nga Greqia, pra alibia që nuk kishte dijeni.
E kuptoni se çfarë personi është kjo?
Një ditë para deklaronte se nuk jam zbuar dhe dënuar kurrë, paçka se kishte lëshuar prokurë për të kundërshtuar dënimin, për të kundërshtuar dëbimin dhe kishte autorizuar avoketër. Mashtrim publik i rëndë.
Me 8 maj i kërkojmë KLGJ-së shpalljen e mbarimit të mandatit të Irena Gjokës. Prokuroria fshihet pas asaj se Ulsi Vuitoni apo i 500 mijë eurove edhe ky, me regjistrim, nuk jep përgjigje.
Në qershor të vitit 2025 del se Irena Gjoka jo vetëm është dëbuar dy herë, por ka dënim penal të formës së prerë, të konvertuar më pas, ka falsifikuar dokumentarin e dekriminalizimit, pasi nuk e ka deklaruar këtë në formular dhe për këtë ka kryer vepër penale.
Ka gënjyer në veting për të justifikuar 60 milionë lekë të paligjshme duke paraqitur një kontratë të vitit 1996 mes burrit të saj dhe vëllezërve të saj, dhe duke përmendur në atë kontratë nenet e një kodi civil të miratuar të paktën pothuajse 19 vjet më vonë”,-tha Berisha.









