Një tragjedi ajrore ka tronditur Indinë. Një avion i kompanisë “Air India”, me 242 persona në bord, është përplasur vetëm pak sekonda pas ngritjes nga pista e aeroportit të Ahmedabadit, duke u rrëzuar mbi një konvikt studentësh të mjekësisë. Një video e re, e kapur nga një kamera sigurie e aeroportit, ka filluar të qarkullojë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke dokumentuar sekondat fatale të ngritjes dhe më pas përplasjes.
Pamjet tregojnë avionin duke u ngritur me vështirësi nga pista, me rrotat ende jashtë dhe hundën e ngritur, ndërsa arrin një lartësi rreth 190 metrash. Por në vend që të fitojë lartësi, avioni fillon të humbasë kuotë, duke u përkulur drejt tokës e më pas drejt ndërtesave pranë aeroportit. Në fund të videos, shihet qartë shpërthimi i fuqishëm dhe një re e zezë tymi që ngrihet në qiell, duke shënuar fundin e një udhëtimi që duhej të përfundonte në Londër, në aeroportin Gatëick.
Tragjedia ndodhi në një zonë të populluar pranë universitetit, dhe ndërtesa ku ndodhej konvikti është goditur drejtpërdrejt nga avioni. Të dhënat paraprake flasin për viktima të shumta, si në bord, ashtu edhe në tokë. Deri tani nuk ka një deklaratë zyrtare nga autoritetet indiane për shkaqet e mundshme, por dyshohet për defekt teknik ose gabim njerëzor.









