Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për ndjekjen penale të presidentit rus Vladimir Putin, të cilin e akuzoi si “kriminel lufte” për nisjen e sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Zelensky e bëri thirrjen pasi nënshkroi një marrëveshje me Këshillin e Evropës për të ngritur një gjykatë të posaçme për të ndjekur penalisht zyrtarët rusë, përfshirë Putinin, për pushtimin e Ukrainës.
“Do të duhet guxim i fortë politik dhe ligjor për t’u siguruar që çdo kriminel lufte rus të përballet me drejtësinë, përfshirë Putinin”,-tha Zelensky.
Ndaj presidentit Putin ka një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë për krimin e dyshuar të luftës për transportimin e paligjshëm të fëmijëve jashtë Ukrainës.
Tribunali special po krijohet për të ndjekur penalisht agresionin e Rusisë për pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.









