PREMIER LEAGUE/ Mario Mitaj kërkohet në Angli, mbrojtësi i kombëtares shqiptare në qendër të merkatos verore

Edhe pse vetëm 21 vjeç, Mario Mitaj është kthyer në një lojtar të rëndësishëm për kampionen e Arabisë Saudite, Al Ittihad, por edhe në një “aset” që kanë nisur ta kërkojnë.

Mediat në vendin e madh të Lindjes së Mesme shkruajnë se ka interesim nga Anglia për mbrojtësin e kombëtares shqiptare, ndonëse nuk jepet emri i klubit që kërkon ta “rrëmbejë”.

Informacioni është i thjeshtë, dhe padyshim i besueshëm duke pasur parasysh rritjen tepër të shpejtë të futbollistit kuqezi.

Aktualisht, kartoni I tij ka arritur vlerën virtuale prej 5.5 milionë eurosh, rritje që ka ndodhur në fund të majit, dhe që është 1 milionë euro më shumë sesa në dhjetor të vitit 2024.

Jo vetëm kaq, por në më pak se një vit, që nga 4 korriku I vitit të kaluar, Mitaj e ka rritur vlerën e tij profesionale me gati tri herë, që nga 2 deri në 5.5 milionë euro.

Al Itihad është raportuar se pagoi 3 milionë euro për shërbimet e shqiptarit, të cilin e mori nga Lokomotiva e Moskës në Premier Ligën e Rusisë.

Sezonin që sapo u mbyll, Mitaj ishte titullar i padiskutueshëm me përjashtim të periudhës së dëmtimit, shënoi një gol e shërbeu dy asiste, dhe fitoi titullin kampion si dhe Kupën e Mbretit me Al Itihadin.