Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i kërkoi sot Këshillit Evropian të dërgojë një mesazh të qartë politik se Brukseli mbështet Kievin në përpjekjen e tij për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
“Ajo që nevojitet tani është një mesazh i qartë politik: se Ukraina është vendosmërisht në rrugën evropiane dhe se Evropa po i mban premtimet e saj”, tha Zelensky në videomesazhin e tij drejtuar udhëheqësve të bllokut.
Presidenti ukrainas përsëriti gjithashtu kërkesën e tij për të kufizuar të ardhurat e Rusisë nga eksporti i naftës. Ai tha se ishte e nevojshme të vendoset një kufi prej 30 dollarësh për naftën ruse në mënyrë që të ketë paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme.
Më parë, kryeministri hungarez Viktor Orban tha se BE nuk do të mbante një qëndrim të unifikuar për pranimin e Ukrainës sepse vendi i tij e kundërshton atë.









