DEPRESIONI SOCIAL/ Rriten ndjeshëm vizitat në Spitalin Psikiatrik të Vlorës, ja disa nga shkaqet 

Ditët e fundit të qershorit, të shoqëruara me temperatura të larta kanë sjellë një rritje të ndjeshme të rasteve të paraqitura në Spitalin Psikiatrik të Vlorës, ku raportohen deri në 30 vizita në ditë nga persona me probleme të shëndetit mendor.

“Më shumë raste po kërkojnë ndihmë mjekësore, si në qendrën komunitare, ashtu edhe në ambientet e spitalit, i cili mbulon të gjithë jugun e vendit,” tha Stiliano Lepuri, mjek psikiatër në Spitalin Psikiatrik të Vlorës, në një intervistë televizive.

Sipas tij, temperaturat e larta kanë ndikuar ndjeshëm në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore, veçanërisht te personat që vuajnë nga ankthi, çrregullimet kronike mendore, si dhe te ata që përdorin substanca narkotike apo alkool.

 “Nuk mungojnë as të rinjtë, të cilët shpesh kërkojnë vizita ose përfundojnë të shtruar për trajtim më të gjatë,” shtoi mjeku.

Aktualisht, në qendrën komunitare kryhen mbi 35 vizita në ditë. Shumica e pacientëve marrin trajtimin e nevojshëm dhe largohen, ndërsa një pjesë kërkojnë shtrim.

Në këtë periudhë janë regjistruar edhe raste të turistëve të huaj që kanë kërkuar ndihmë, kryesisht si pasojë e përdorimit të substancave narkotike. Dy prej tyre vijojnë të trajtohen në spital prej disa muajsh.

Mjeku Lepuri bën apel për kujdes të shtuar gjatë valës së të nxehtit, duke rekomanduar që pacientët të shmangin ekspozimin ndaj diellit, të marrin rregullisht mjekimet dhe të qëndrojnë larg alkoolit.