ANKIMIMI/ Kandidati i Berishës dyshon për vjedhje votash nga të vetët; Roshi i Kavajës, kusheriri i Elvis Roshit kërkon rinumërimin

Një tjetër kandidat nga lista e hapur e Qarkut të Tiranës në rradhët e koalicionit ‘PD-ASHM’ kërkon hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave preferenciale. Bëhet fjalë për Elton Roshin, kushëririn e Elvis Roshit, ish-kryebashkiakut të Kavajës, që humbi mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit.

Roshi u kandidua në listën e hapur të koalicionit si propozim i PAA-së, ndërsa pas 11 majit, SPAK në kuadrin e hetimit të krimeve zgjedhore, sekuestroi disa celularë, mes të cilëve edhe atë të ish-kryebashkiakut socialist, Elvis Roshi. Ky i fundit u angazhua në fushatë në favor të kushëririt të tij, Elton Roshi, i cili ka ngritur dyshime se i janë tjetërsuar votat.

Roshi kërkon rinumërimin e votave në dy bashkitë e Qarkut të Tiranës, Kamëz dhe Tiranë, ndërsa nuk ka pretendime për Vorën, Rrogozhinën dhe Kavajën.

Kështu pas Aulon Kalasë në Durrës dhe disa kandidatëve të listës së hapur të Tiranës, mes të cilëve edhe Asllan Dogjani, Ilir Alimehmeti, Adriana Kalaja, kontestimin për votat preferenciale e ka ngritur edhe Elton Roshi.

Të nderuar anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,

Të nderuar anëtarë të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve,

Partia Agrare Ambientaliste (PAA), subjekt zgjedhor pjesëmarrës në zgjedhjet e 11 majit 2025, nëpërmjet kandidatit të saj z. Elton Roshi në Qarkun Tiranë, kundërshton miratimin e tabelave përmbledhëse të rezultateve për këtë qark dhe kërkon hapjen dhe rinumërimin e kutive të votimit në të gjitha KZAZ-të e Qarkut Tiranë, përjashtuar Bashkitë Vorë, Rrogozhinë dhe Kavajë, ku nuk janë evidentuar parregullsi që kërkojnë verifikim.

Në disa qendra votimi të KZAZ-ve në Tiranë, vëzhguesit tanë kanë konstatuar mospërputhje midis votave të lexuara në ekran për kandidatin Elton Roshi dhe të dhënave të pasqyruara në procesverbalet përfundimtare të tabelimit.

Këto shqetësime janë ngritur menjëherë gjatë procesit të numërimit, por komisionet lokale kanë refuzuar ndërhyrjen, duke na orientuar për ankesë pranë KQZ-së.

Në përputhje me nenin 145 dhe 146 të Kodit Zgjedhor, subjekti ynë ka të drejtë të kërkojë hapje dhe rinumërim të kutive ku ekzistojnë dyshime të arsyeshme për mospërputhje. Kërkojmë gjithashtu afat të arsyeshëm për të përfunduar shqyrtimin e pamjeve filmike, përpara se të nisë shqyrtimi i ankesës në seancë.

Rezervojmë të drejtën për të shtuar argumente dhe prova shtesë deri në ditën e shqyrtimit të kërkesës”, thuhet në kërkesën e Partisë Agrare Ambientaliste.