Është zhvilluar sot në Tiranë samiti Ekonomik Ndërkombëtar “Future Investment Initiative Europe” me praninë me Jared Kushner CEO dhe themelues i “Affinity Partners”.
Përmes një videomesazhi, Kushner është shprehur se pas një viti studim tregu, rezultoi se mjedisi i Shqipërisë është një lokacion perfekt për të investuar, duke përmendur këtu daljen në det si dhe distancën e vogël nga aeroporti.
Lidhur me investimet e diskutuara gjatë në media që Jared Kushner do të bëjë në vijën bregdetare shqiptare, ai tregon se diçka spektakolare po ndërtohet që do të prezantohet së shpejti. Ndër të tjera ai tha se një komunitet i shkëlqyer është në ndërtim e sipër ku do të tërhiqen markat më prestigjoze në botë.
“Edi është një politikan shumë i aftë – na tregoi se çfarë mund të bëjë një artist me një vend. Ata do të ndërtojnë një aeroport në Vlorë, dhe kjo është një mundësi shumë e madhe për t’u shfrytëzuar në rajon.
Isha shumë i tërhequr nga rajoni dhe zhvillimet rajonale demografike. Shpenzuam 1 vit me studim tregu. Pas një analize rezultoi se mjedisi ishte perfekt. Shumë njerëz më kanë pyetur pse po investojmë në Shqipëri. Shumë veprime të qeverisë po ndryshojnë klimën e jetesës – ato përkthehen në rroga më të larta, në më shumë mirëqenie. Është një lokacion perfekt. Shumë pak km larg Italisë, 10 minuta distancë nga aeroporti i ri. Do të ndërtojmë diçka spektakolare dhe do e prezantojmë së shpejti. Kush do e vizitojë resortin? Së pari unë me gruan. Do ndërtojmë një komunitet të shkëlqyer dhe do tërheqim markat më prestigjioze në botë”, tha Kushner.









