VENDIMI/ “Lamtumirë Harvard” – Donald Trump ndalon regjistrimin e studentëve të huaj te universiteti më i lakmuar 

Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i hoqi Universitetit të Harvardit të drejtën për të regjistruar studentë ndërkombëtarë dhe po i detyron studentët e huaj aktualë të transferohen në shkolla të tjera ose të humbasin statusin e tyre ligjor.

Sipas mediave të huaja, përpos Harvardit, Trump është duke kërcënuar për ashpërsim të masave edhe për kolegjet e tjera.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kristi Noem urdhëroi departamentin të ndërpresë certifikimin e Programit të Studentëve dhe Vizitorëve të Shkëmbimit të Universitetit të Harvardit, i cili ishte në fuqi për vitin shkollor 2025-2026.

Ajo i dërgoi një letër zyrtare universitetit, ku njoftoi për pezullimin dhe kërkoi që Harvard të dorëzojë informacionin e kërkuar brenda 72 orëve nëse dëshiron të rikthejë certifikimin për programin Student and Exchange Visitor (SEVP) përpara vitit të ri akademik.

Noem akuzoi universitetin për “nxitje të dhunës, antisemitizmit dhe koordinim me Partinë Komuniste Kineze”. Ndërkohë nga ana tjetër universiteti i Harvard-it e ka quajtur këtë lëvizje një hakmarrje që mund të shkaktojë pasoja të rënda:

“Veprimi i qeverisë është i paligjshëm. Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të ruajtur mundësinë e Harvard-it për të pritur studentë dhe studiues ndërkombëtarë nga mbi 140 vende të botës, të cilët pasurojnë universitetin dhe këtë komb, në mënyrë të jashtëzakonshme,” thuhet në deklaratën e universitetit.

Sipas statistikave të universitetit, Harvard regjistroi gati 6,800 studentë ndërkombëtarë në vitin shkollor 2024-2025, duke arritur në 27% të numrit të përgjithshëm të studentëve të regjistruar.

Në vitin 2022, shtetasit kinezë ishin grupi më i madh i studentëve të huaj me 1,016, ndërkohë pas tyre ishin studentë nga Kanadaja, India, Koreja e Jugut, Britania, Gjermania, Australia, Singapori dhe Japonia.