SKANDALI/ Vezët me salmonelë, kompania e gruas së deputetit socialist helmoi fëmijët në Gramsh

Fëmijët e kopshtit publik në Gramsh u helmuan nga prania e salmonelës në vezët e konsumuara gjatë vakteve në këtë institucion.

Në këtë përfundim ka dalë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pas analizave të bëra në laborator, ku prania e salmonelës tek vezët rezultoi pozitive.

Nga 79 personat e testuar, 17 prej tyre rezultuan bartës të bakterit, mes tyre 16 ishin fëmijë të kopshtit bashkë me psikologen e institucionit.

Por teksa AKU e mbajti emrin e fshehtë të kompanisë, burime të “Alert.al” bëjnë me dije se vezët kanë pasur origjinën nga kompania “Xhenis Sh” sh.p.k. me seli në Shkodër.

Kjo kompani zotërohet në 100% të aksioneve nga Belma Çela, e cila është bashkëshortja e deputetit Agron Çela. Ky i fundit u zgjodh deputeti i Shkodrës në vitin 2021 nën siglën e LSI-së, por para zgjedhjeve lokale të vitit 2023, kaloi te Partia Socialiste. Agron Çela u “shpërblye” nga Edi Rama në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, pasi i vendosi vajzën Xhenis Çela në listën e sigurtë të PS-së në Shkodër dhe kështu në shtator, babai do t’i lëshojë vendin të bijës në parlament.

Agron Çela zotëron disa hotele luksoze në Shkodër dhe Velipojë, ku në media është raportuar kohët e fundit se ai synon edhe Vilën Qeveritare.

Kompania “Xhenis Sh” sh.p.k. zotërohej më parë nga vetë Agron Çela, por në vitin 2013 i ka kaluar të gjitha aksionet në emër të bashkëshortes së tij, Belma Çela.

Nuk dihet rrethanat nëse kemi të bëjmë me vezë importi apo jo, por nëse janë rrethanat e tilla, në këtë skandal veç AKU-së do të përfshiheshin edhe doganat.

Të pestë monstrat e vezëve të marra nga AKU, të cilat iu nështruan analizave, rezultuan pozitive për prezencën e bakterit Salmonella spp., sipas standardit ndërkombëtar ISO 6579-1:2017.

Vezët me salmonelë, kompania e gruas së deputetit socialist

Rezultati i analizave nga ISUV

Helmimi masiv i fëmijëve ka ndodhur të martën (20 Maj), por ngjarja u mbajt e fshehtë nga institucionet shëndetësore, vendore dhe Policia, të cilat prej rreth një jave nuk kishin nisur hetim për rastin në fjalë.

Ngjarja u mësua mesditën e së shtunës nga një familjar, i cili denoncoi publikisht helmimin e nipit të tij, duke publikuar dhe fletën e analizave, ku mjekja Dafina Jaho konfirmoi praninë e bakterit salmonelë.

Pas shenjave të helmimit, AKU mori analiza nga 72 persona, 53 fëmijë dhe 19 anëtarë të stafit të kopshtit. Pas verifikimeve në Institutin e Shëndetit Publik, rezultatet treguan se 17 fëmijë ishin prekur nga salmonela.

Të hënën, më 26 maj, familjarët e fëmijëve protestuan duke kërkuar siguri për fëmijët e tyre dhe vënë para përgjegjësisë personat që lejuan një situatë të tillë dhe pasiguri ushqimore.

Pas publikimit të analizave nga ISUV, reagoi edhe kreu i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruan:

“Ky rezultat është alarmant dhe përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik, veçanërisht në rastet kur produkti konsumohet pa përpunim të duhur termik. Prania e Salmonella spp. në vezë mund të shkaktojë sëmundje akute gastrointestinale tek konsumatorët, me pasoja serioze për grupet më të ndjeshme të popullatës (fëmijë, të moshuar, gra shtatzëna, persona me imunitet të ulët).

Bazuar në këtë situatë, rekomandojmë që:

Të ndërmerren menjëherë masa për ndalimin e tregtimit të këtij produkti.

Të gjurmohet dhe izolohet loti i vezëve të kontaminuara.

Të kryhet një kontroll sanitar-veterinar i plotë në fermën ose subjektin që ka prodhuar ose shpërndarë produktin.

Të njoftohet konsumatori dhe të garantohet asgjësimi i produktit të pasigurt, sipas procedurave ligjore.

Përgjegjësia bie mbi AKU për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit.”