Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ishte këtë të mërkurë në një konferencë me gazetarët ku ndër të tjerat komentoi edhe mesazhin e SHBA-së për zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Shqipëri më 11 maj.
Sipas Berishës mesazhi ishte thjesht një urim për shqiptarët, i cili as nuk pohonte dhe as nuk mohonte farsën elektorale që sipas tij ka ndodhur në Shqipëri.
“Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”, ishte mesazhi i SHBA për Shqipërinë.
“Merrni dhe lexoni të gjitha deklaratat e mëparshme të asaj ambasade për zgjedhjet për të kuptuar se cili ishte thelbi i deklaratës. Në mesazh aty urohen shqiptarët, aty nuk pohohet dhe as nuk mohohet farsa elektorale. Ne që denoncojmë çdo ditë po njihemi me prova dhe me fakte të reja. Është shumë normale që ata të cilët nuk duan të paragjykojnë të dalin me raporte përfundimtare”,-tha Berisha.
Deklarata e Berishës :
Ajo nuk ishte ashtu siç thatë, citoje pak siç e tha dhe pastaj ju bëj koment. Përgëzoj popullin shqiptar. Tani çfarë sugjerimi kam unë këtu për ju. Merr e lexoni të gjitha deklaratat e mëparshme të asaj ambasade për zgjedhjet, për ta kuptuar shumë më mirë se cili ishte thelbi i deklaratës. Kjo është përgjigja ime. Lexoni ato të vitit 2021, si kanë qenë. Lexoni vitin 2021. Lexoni pak disa nga deklarata e sekretarit Rubio për zgjedhjet në vende të ndryshme të botës. Direkt të sekretarit, dhe do kuptoni mirë se ç’përfaqëson ajo që ju e quani urim për Edi Ramë, dmth jo zgjedhjet, uron shqiptarët, kaq.
Aty urohen shqiptarët. Urohen shqiptarët. As nuk mohohet as nuk pohohet farsa. Këtu ka një gjë. Ne që denoncojmë çdo ditë njihemi me prova e fakte të reja, ne vetë, sepse nuk mund ti analizosh të gjitha në një kohë. Po i marrim dhe po ua paraqesim. Kështu që është shumë normale. Ata të cilët nuk duan të paragjykojnë pritet raporti përfundimtar. Ky është rregulli. Por ne kemi ndryshuar, kemi ndryshuar dhe raporte ndërkombëtare. Ne jemi ata, ja kemi dalë. Ne bëjmë të pamundurën të mundur.
Në vitin 2001 erdhën urimet më të përzemërta nga e gjithë bota, por ata ranë përtokë përpara fakteve dhe të vërtetave që paraqitëm ne, sepse sigurisht institucionet ndërkombëtare janë të interesuara për zgjedhje të lira dhe jo farsa. Jo. Sepse ato pastaj shkojnë në vetëshkatërrim dhe nuk e pranojnë kurrë. Pse nuk e përshëndeti Edi Rama atë urim. Më thuaj pak. Ai po e priste si diçka hyjnore atë urim. Pse nuk e përshëndeti. Pra faktikisht është asgjësimi i Edi Ramës.









