MBESHTETJA E GJERMANISE/ Dritë jeshile për Zelenskyn, Merz: Ukraina mund të sulmojë Rusinë me armët e Perëndimit

Ukrainës i është çelur drita jeshile për të sulmuar objektet ushtarake në thellësi të territorit rus me armët që i ka dhënë Perëndimi.

Kjo është pohuar nga kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili ka thënë se tashmë për të mbrojtur vetveten Ukraina mund të përdorë armët që i kanë dorëzuar aleatët perëndimore duke sulmuar brenda territorit të Rusisë.

“Nuk ka më absolutisht asnjë kufizim në rrezen e veprimit për armët që i dorëzohen Ukrainës, as nga Britania, as nga Franca, as nga ne, as nga amerikanët”, tha Merz të hënën tha ai gjatë një forumi diskutimi të organizuar nga transmetuesi publik, ËDR.

“Kjo do të thotë se Ukraina mund të mbrohet duke sulmuar pozicione ushtarake edhe në Rusi. Deri kohët e fundit, nuk mund ta bënte këtë, dhe përveç shumë pak përjashtimeve, as këtë nuk e kishte bërë”, shtoi ai.

Aleatët perëndimorë të Ukrainës po përpiqen të rrisin presionin mbi Kremlinin, pas një breshërie të paprecedentë sulmesh me drone nga Moska kundër Ukrainës, që përbëjnë ofensivën më të madhe në këto tre vite lufte.

Kancelari gjerman theksoi se ndërsa Kievi po përdor armët e tij për të synuar infrastrukturën ushtarake ruse, Rusia vazhdon të sulmojë “qytetet, kopshtet, spitalet dhe azilet e kujdesit” ukrainase.

“Rusia sulmon objektivat civile krejtësisht pa mëshirë, duke bombarduar qytete, kopshte, spitale dhe azile për të moshuar – Ukraina nuk e bën këtë”, shtoi Merz.

Kancelari zbuloi gjithashtu se kjo ishte një nga arsyet e vizitës së tij në Kiev së bashku me udhëheqësit e Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Polonisë më 10 maj. Gjatë asaj vizite në kryeqytetin e Ukrainës, ai tha gjithashtu se të gjitha bisedimet e ardhshme për furnizimin me armë me Ukrainën do të mbaheshin konfidenciale.

Në të kaluarën, Ukraina mori raketa me rreze të gjatë veprimi nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, por iu lejua t’i përdorte ato vetëm kundër forcave ushtarake ruse në territoret e pushtuara ukrainase.

Sa i përket Berlinit, përpara se të merrte detyrën, Merz sinjalizoi se do të anulonte ndalimin e paraardhësit të tij, Olaf Scholz, për dërgimin e raketave kruz Taurus të Gjermanisë, të afta për të goditur objektiva në një rreze prej 500 kilometrash.

Duke folur të hënën, kancelari gjerman tha se “askush nuk mund të na qortojë tani që nuk i kemi shteruar të gjitha mjetet diplomatike në dispozicion.”

Heqja e kufizimeve për përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi do të bëjë “ndryshimin vendimtar në luftën e Ukrainës”, shpjegoi Merz, duke shtuar se “një vend që mund t’i kundërvihet një sulmuesi vetëm në territorin e vet nuk po e mbron veten në mënyrë të mjaftueshme”.

Presidenti amerikan Donald Trump shprehu më herët zhgënjimin e tij për presidentin rus Vladimir Putin dhe vonesat në përpjekjet për arritjen e një armëpushimi.

Kremlini hodhi poshtë kritikat e Trump si një “reagim emocional” dhe mbrojti sulmet vdekjeprurëse në gjithë Ukrainën.

“Fillimi i procesit negociues, për të cilin pala amerikane bëri përpjekje të mëdha, është një arritje shumë e rëndësishme dhe jemi vërtet mirënjohës ndaj amerikanëve, ndaj presidentit Trump”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.

Merz, i cili mori detyrën këtë muaj pas një fushate ku u paraqit më “agresiv” se paraardhësi i tij Olaf Scholz, tha se qeveria e tij do të bëjë “çfarë të jetë e mundur” për të ruajtur mbështetjen ushtarake për Kievin. Sipas Bloomberg, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të vizitojë Berlinin të mërkurën, duke cituar një burim të njohur me planet.

Nga ana e tij, Kremlini e cilësoi vendimin për t’i dhënë Ukrainës leje të godasë objektiva thellë në Rusi si një vendim të rrezikshëm, duke shtuar se “ky vendim është në kundërshtim me aspiratat tona për një zgjidhje politike.”

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi të hënën nga Vietnami se Donald Trump po fillon të kuptojë gënjeshtrat e presidentit rus në lidhje me Ukrainën.

Ai shtoi se shpreson që zemërimi i presidentit amerikan ndaj Putinit “të shndërrohet në veprim.”

Këto komente erdhën pas një postimi të Trump në rrjetet sociale ku ai shkruante se Putin “ishte çmendur fare” dhe se ai po mendon të vendosë sanksione të reja ndaj Moskës.