KRIZA KUVENDORE/ Kosova ende pa institucione, ambasadori bën thirrjen: Mblidhuni, shteti në rend të parë

Pas dhjetë tentimesh për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, deputetët e zgjedhur sërish dështuan në këtë drejtim. Albulena Haxhiu nuk mori votat e mjaftueshme disa herë për tu zgjedhur si kryeparlamentare e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e disa herë të tjera, mungesa e deputetëve bëri që seanca të dështonte.

Derisa, deputetët po vazhdojnë të njëjtat qëndrime, formimi i institucioneve të reja, po shihet si një rrugë e gjatë dhe e vështirë.

Duke qenë në këtë situatë, a duhet të kërkojë ndihmë Kosova nga vendet aleate? SHBA dhe BE e kanë përkrahur shumë herë Kosovën për të zgjidhur problemet e saj politike. Por a është koha që vendi të kërkojë ndihmë?

Ish ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch, në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se, kjo është ҫështje e Kosovës, që duhet të tregojë përgjegjësi dhe partitë duhet të bëjnë kompromise.

Image

Ish ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch

“Jo, varet nga vetë Kosova. Si vend i pavarur, ajo duhet të tregojë përgjegjësi dhe partitë duhet të jenë të hapura për kompromis, që do të thotë të përpiqen të formojnë një qeveri të qëndrueshme, por mos e teproni me kërkesat”, thekson ambasadori Bosch.

Ai ju bën thirrje partive politike që interesin e vendit të vendosin të parin.

“Bëjeni interesin e vendit numër një dhe atë të partisë dytësore. Mësoni të mblidheni dhe të merrni. Rezultatet e zgjedhjeve ishin të tilla që nuk kishte mundësi tjetër”, vlerëson ai.

Sa i përket kësaj situate në të cilën ndodhet Kosova, profesori universitar, prof.dr. Eshref Ymeri fajëson opozitën, duke thënë se është rreshtuar në krahë të Serbisë. Ai thotë se, opozita antikombëtare në Dardani është rreshtuar tradhtisht në krah të Serbisë fashiste.