GODITJA FATALE/ Shpërbëhet “celula” politike Veliaj – Rama lë jashtë parlamentit deputetët mbështetës të kryebashkiakut. Ja emrat…

Zgjedhjet e 11 Majit duket se kanë qenë edhe goditja e fundit ndaj Erion Veliajt, pasi deputetët që kishin qëndruar gjithmonë krah tij nuk arritën të fitojnë sërish mandatin.

Kjo do të thotë se tashmë kryebashkiaku i Tiranës, i burgosur prej 10 Shkurtit, nuk do të ketë një zë që ta mbështesë brenda Partisë Socialiste, duke sjellë edhe mbylljen përfundimtare të kapitullit të tij në partinë që po udhëheq vendin prej 4 mandatesh.

Etien Xhafaj, Toni Gogu, Plarent Ndreca, Blerina Gjylameti dhe Klotilda Bushka nuk do të jenë në Shtator në sallën e seancës plenare, për shkak se nuk morën besimin e qytetarëve edhe për një mandat tjetër.

Dy të fundit kanë llogari të hapura edhe me SPAK, pasi ndaj Plarent Ndrecës është ngritur akuza “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” për tenderat e rikonstruksionit të komisariateve të policisë.

Ndërkohë, Klotilda Bushka është nën hetim pasi dyshohet se ka penguar SPAK të hetojë Erion Veliajn, duke shantazhuar dëshmitarët dhe duke tentuar të manipulojë provat.

Etien Xhafaj është një nga deputetët më pak të votuar, pasi ka marrë vetëm 1054 vota personale, ndërsa Toni Gogu nuk arriti të fitojë për shkak se ka më pak vota se kandidatët e tjerë që do të marrin mandatin. Më afër mandatit ishte blerina Gjylameti, por po humbet me pak diferencë votash me Olta Xhaçkën, “strategjiken” e preferuar të kryeministrit Rama.

Ky i fundit “lau duart” me Veliaj që prej mesazhit drejtuar grupit parlamentar, se askush nuk duhet t’i dilte hapur në krah kryebashkiakut, ndërkohë që tani pas fitores së mandatit të katërt me një rezultat kaq të thellë, mund t’i japë edhe goditjen e “Knock Out-it” kryebashkiakut.

Me shumë gjasë Tirana do të shkojë në zgjedhje të parakohshme për kryetarin e ri të Bashkisë, teksa në PS flitet edhe për kandidatin e mundshëm të socialistëve, që pritet të jetë Blendi gonxhja, i cili doli edhe kandidati më i votuar në Tiranë e në gjithë vendin.

Tashmë, Erion Veliaj i vetëm do të duhet të përballet me SPAK dhe dosjen qindra faqëshe të përgatitur nga prokurorët, që kanë zbuluar me detaje se si korrupsioni ishte ulur këmbëkryq në zyrën e tij.