Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, të enjten mbajti një ligjëratë para studentëve të Universitetit të Veriut në Koprivnicë, ku foli për sfidat globale dhe kontekstin politik bashkëkohor, duke u ndalur edhe te roli i NATO-s, Bashkimit Evropian, si dhe lufta në Ukrainë.
Duke folur për nenin mbrojtës 5 të aleancës NATO, Milanoviç theksoi se ai “kërkon një reagim në mënyrë adekuate”. Megjithatë, pjesën më të madhe të fjalimit ia kushtoi luftës në Ukrainë, për të cilën tha se përfaqëson një “luftë rraskapitjeje”, dhe jo një luftë pozicionesh klasike si ajo e Luftës së Parë Botërore.
Presidenti kroat gjithashtu deklaroi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është në ngërç, duke thënë se “askush më nuk do të hyjë në BE, ndoshta vetëm Mali i Zi. Shtetet mashtrohen me premtime të rreme për anëtarësim, vetëm që të nxirren prej tyre disa lëshime”, shkruan klix.ba.
Ai shtoi se nga disa vende pritet të përshtatin politikën e tyre të jashtme me interesat e Perëndimit, veçanërisht sa i përket përballjes me Rusinë. Si shembull përmendi Gjeorgjinë, një vend me rritje të fortë ekonomike falë pozitës së saj gjeografike, që sipas tij, gjithashtu po përdoret për qëllime gjeopolitike.
Duke u ndalur në gjendjen e BE-së, Milanoviç tha se Unioni nuk është më një fuqi botërore siç konsiderohej dikur.









