Qindra qytetarë kanë dalë në rrugë të tronditur dhe me lot në sy pas tërmetit me magnitudë 6.2 ballë që goditi paraditen e sotme Stambollin.
Pas tërmetit, qytetarët u mblodhën në parqe dhe zona të hapura. Deri tani, nuk ka raporte për të lënduar apo dëme materiale. Qendra Gjermane Kërkimore për Gjeoshkencat (GFZ) ka raportuar se tërmeti kishte një thellësi prej 10 km.
Sipas të dhënave nga Presidenca e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), tërmeti me magnitudë 6.2 ballë, epiqendra e të cilit ishte në detin Marmara dhe lagjen Silivri të Stambollit, është ndjerë në Stamboll dhe në provincat përreth.
Presidenca e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë ka njoftuar se kanë ndodhur disa tërmete në Stamboll gjatë ditës së mërkurë.
I pari kishte magnitudën 3.0 dhe goditi bregdetin e rrethit Silivri në orën 12:13. Tërmeti i dytë, me magnitudë 6.2, goditi të njëjtën zonë në orën 12:49, ndërsa tërmeti i tretë, me magnitudë 4.4, goditi lagjen Büyükçekmece në orën 12:51.









