Përveç mishit me salmonelë dhe luleshtrydheve me pesticide, shqiptarët kanë konsumuar edhe qumësht me aflatoksinë, një substancë e rrezikshme dhe kancerogjene e zbuluar në disa mostra të qumështit të tregtuar për konsum.
Nga kontrollet e kryera në territorin e Vlorës, AKU ka zbuluar se produktet e kontaminuara i përkasin dy prej markave më të njohura në vend: Lufra dhe Erzeni.
Nga 26 mostra të marra nga janari deri në prill 2025, 10 prej tyre kanë rezultuar pozitive dhe sipas specialistëve 40% e qumështit të kontrolluar ishte i kontaminuar mbi normat e sigurisë ushqimore.
Aflatoksina është një toksinë e krijuar nga myku që rritet tek drithërat, misri dhe gruri. Kur lopët ushqehen me foragjere të kontaminuara aflatoksinë sekretohet më pas te qumështi që prodhojnë. Konsumimi i qumështit me aflatoksinë ka pasoja të rënda në shëndetin e njeriut. Sipas OBSH-së aflatoksinë është kancerogjene e grupit 1, rrit rrezikun për probleme në mëlçi njëkohësisht dhe të veshkave.









