E PAZAKONTE/ Shehaj merr kopjen e projekt-marrëveshjes Shqipëri-SHBA dhe largohet me vrap

Një episod i pazakontë është regjistruar në ambientet e Kuvendit, pak para shqyrtimit të marrëveshjes së huasë me Shtetet e Bashkuara për pajisjet ushtarake.

Sipas pretendimeve të opozitës, dokumenti nuk u është shpërndarë deputetëve, por është vënë në dispozicion vetëm për lexim në një ambient të veçantë, çka ka shkaktuar kundërshtime për mënyrën e administrimit të tij.

Në pamjet e publikuara shihet deputeti dhe kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, teksa merr një kopje të marrëveshjes dhe largohet me shpejtësi nga ambientet, ndërsa një punonjëse e Kuvendit e ndjek nga pas duke i kërkuar t’ia dorëzojë dokumentin.

Ngjarja ndodhi në prag të seancës parlamentare ku pritet të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar marrëveshja e financimit për modernizimin e Forcave të Armatosura.