Kryeministri Edi Rama deklaroi se manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet e huaja përbëjnë një nga sfidat më të mëdha për demokracitë, ndërsa solli si shembull protestat e fundit në Shqipëri, të cilat ai i quajti “Revolucioni i Flamingove”. Deklaratat u bënë gjatë konferencës ndërkombëtare “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve evropiane.
Sipas Ramës, ndërhyrjet e huaja nuk shfaqen më në forma tradicionale, por përhapen përmes përmbajtjeve të manipuluara, lidhjeve të rreme në rrjetet sociale dhe mesazheve të shpërndara në aplikacione komunikimi, të cilat, sipas tij, ndikojnë në opinionin publik me ndihmën e algoritmeve dhe inteligjencës artificiale.
Kryeministri theksoi se demokracitë janë më të ekspozuara ndaj sulmeve të tilla pikërisht për shkak të hapjes dhe lirisë që i karakterizon. Ai u shpreh se rasti i protestave në Shqipëri është një shembull se si një përçarje e brendshme mund të shfrytëzohet nga aktorë armiqësorë për të nxitur destabilizim dhe dezinformim.
Rama shtoi se, sipas tij, sa më pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian të jetë një vend, aq më shumë shtohen përpjekjet e aktorëve të huaj për të ndikuar në zhvillimet e brendshme përmes manipulimit të informacionit.
Duke u ndalur te zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale, kryeministri nënvizoi se sfida e brezit të sotëm është ruajtja e së vërtetës dhe mbrojtja e demokracisë në një kohë kur teknologjia mund të përdoret edhe për përhapjen e dezinformatave. Ai theksoi se demokracitë duhet të mbeten të hapura, por njëkohësisht të afta për t’u mbrojtur nga këto forma të reja të ndërhyrjes.
Fjala e Edi Ramës: Kemi ardhur në një moment kur e kemi humbur tërësisht duke pranuar lirinë e shpërndarjes si një shtrirje, degëzim të fjalëve. Ndërhyrja e huaj në informacion kurrë nuk mbërrin në një formë të veshur, mbërrin si një përmbajtje e falsifikuar, si një link që dërgohet në një grup ËhatsApp, nga një grup që mendon se po ndan një të vërtetë. Flet gjuhën tonë, ndaj duket se dukem kaq të dënuar të dështojmë.
Sot manipulimi udhëton me shpejtësinë e një algoritme e nxitur nga përdorimi i AI. Para dy javësh, në një vend që nuk është saktësisht fqinj, po afër Rumania, pësoi një sulm kibernetik që ngriu sistemin e kadastrës duke paralizuar shërbimet publike. Disa muaj më parë i njëjti vend u përballë me një sulm duke shtrembëruar komunikimin dixhital.
Ajo që ndodh me demokracinë ka të bëjë me çarjet në dritë të diellit në mënyrë të hapur. Pikërisht është kjo hapje që përbën dhe cënueshmërinë e saj nga armiqtë e demokracisë që gjejnë shtegun për të hyrë, siç ka ndodhur në rrjet.
Besoj jeni mjaft të informuar për të ashtuquajturin ”Revolucion i Flamingove” është shembull i një plasjeje një çarjeje, që u bë një mënyrë për armiqtë tanë.
Sa më afër shkon një vend në BE aq më shumë rreken aktorët e huaja për të hyrë tinëzisht brenda e për të sulmuar. Historia do të na kujtoje jo vetëm si ata që ishin dëshmitarë të ngritjes së AI, por si brez që u desh të vendoste nëse e vërteta do të mbetej akoma në një botë manipulimi me AI.
Ne jemi demokraci e duam të mbetemi të tillë. Demokracitë ofrojnë hapësirë me shumë bujari dhe me armiqtë e tyre, kjo është çështja dhe dilema.
Pra si ta mbrojmë hapësirën tonë të informimit jo duke e tkurrurr por duke e ankoruar te vlerat demokratike, jo duke u tërhequr te një izolim dixhital por te shoqëritë e hapura. Thënia është: Derisa të veshë e vërteta pantallonat gënjeshtra ka bërë xhiron e botës. Nuk dua të jem pesimist por nuk jam optimist përderisa nuk bëjmë dallimin e qartë për lirinë e fjalës.









