Irani ka kërkuar nga Izraeli që të ndalojë menjëherë dhe plotësisht ofensivën e tij ushtarake në Liban, pas zhvillimeve të fundit diplomatike dhe marrëveshjes paraprake të arritur me Shtetet e Bashkuara.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në telefonata të ndara me homologët e tij nga Egjipti, Turqia dhe Iraku, theksoi se përgjegjësia për zbatimin e marrëveshjes bie mbi Shtetet e Bashkuara dhe palët ndërmjetëse në proces.
Sipas një deklarate zyrtare të Teheranit, Araghchi ka nënvizuar “nevojën urgjente për ndalimin e plotë të agresionit dhe sulmeve destabilizuese të regjimit sionist ndaj Libanit”, duke iu referuar operacioneve ushtarake të Izraelit në territorin libanez.
Ky reagim vjen vetëm një ditë pas njoftimit për një marrëveshje paraprake mes SHBA-së dhe Iranit, e cila synon uljen e tensioneve dhe përfundimin e konfliktit në disa fronte rajonale.
Teherani e konsideron situatën në Liban si pjesë të konfliktit më të gjerë në Lindjen e Mesme dhe kërkon që çdo marrëveshje për armëpushim të përfshijë edhe ndalimin e plotë të operacioneve ushtarake në këtë zonë.









