Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me debatet dhe protestat për projektin turistik në Zvërnec, duke hedhur akuza të forta ndaj kundërshtarëve të investimit dhe duke ironizuar protestën e paralajmëruar para Kryeministrisë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama ndau komentin e gazetarit shqiptar në Greqi, Etmond Guri, i cili vuri në dukje interesimin e madh të mediave greke për incidentin e ndodhur në Zvërnec. Kryeministri argumentoi se reagimet e shumta lidhen me faktin se Shqipëria po synon të realizojë një projekt turistik që, sipas tij, do ta shndërrojë vendin në një nga destinacionet më të rëndësishme të rajonit.
Rama theksoi se investimi, i cili sipas tij kap vlerën e 4 miliardë eurove dhe mbështetet nga partnerë amerikanë e katariotë, do të sjellë mijëra vende të reja pune, rritje ekonomike, zhvillim të turizmit elitar dhe shtim të vlerës së pronave në zonën e Vlorës.
Duke iu referuar protestës së thirrur nga aktivistët dhe qytetarët kundër projektit, kreu i qeverisë përdori tone ironike, duke deklaruar se pjesëmarrësit do të kenë mbështetjen e mediave greke për t’i dhënë jehonë kauzës së tyre.
Sipas Ramës, kundërshtimi ndaj projektit po ndodh në një moment kur Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare si destinacion turistik, ndërsa ai e cilësoi investimin si një mundësi historike për zhvillimin ekonomik të vendit.









