“Lufta e re nënujore”/ Irani paralajmëron presion mbi kabllot globale të internetit – Në rrezik bankat dhe ekonomia botërore

Një dimension i ri i tensioneve gjeopolitike po del në pah në Lindjen e Mesme, ku Irani po akuzohet se po shqyrton përdorimin e infrastrukturës nënujore të komunikimeve si një mjet presioni ndaj Perëndimit dhe ekonomisë globale.

Sipas analizave dhe publikimeve ndërkombëtare, pas përpjekjeve për të ndikuar mbi lëvizjen detare në Ngushticën e Hormuzit, Teherani po synon tani një objektiv shumë më të padukshëm, por potencialisht edhe më të ndjeshëm: rrjetin global të kabllove nënujore me fibra optike që transportojnë pjesën më të madhe të internetit, të dhënave financiare dhe komunikimeve ndërkombëtare.

Ky rrjet, që shtrihet në fund të deteve dhe oqeaneve, është jetik për funksionimin e përditshëm të sistemit financiar global, shërbimeve cloud, komunikimeve shtetërore dhe madje edhe operacioneve ushtarake.

Sipas burimeve të cituara në raportime ndërkombëtare, Republika Islamike e Iranit dhe struktura të lidhura me Gardën Revolucionare kanë diskutuar mundësinë e vendosjes së tarifave ose mekanizmave të kontrollit për kompanitë e teknologjisë dhe operatorët e telekomunikacionit që përdorin kabllot që kalojnë në zonën e Hormuzit.

Në shënjestër indirekte mund të bien gjigantë globalë të teknologjisë si Google, Microsoft, Meta dhe Amazon, ndonëse mbetet e paqartë se si do të zbatohej një mekanizëm i tillë në praktikë, duke marrë parasysh sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit dhe kompleksitetin e infrastrukturës globale të internetit.

Mesazhi që po lexohet nga këto zhvillime është se rëndësia strategjike e Ngushticës së Hormuzit nuk kufizohet më vetëm te transporti i naftës, por shtrihet edhe te rrjedha e të dhënave që mban në funksion ekonominë dixhitale globale.

Sipas të dhënave të kompanive të specializuara në infrastrukturën e internetit, zona e Gjirit Persik dhe Hormuzit përfaqëson një nyje të rëndësishme të kabllove nënujore që lidhin Azinë, Afrikën dhe Evropën.

Ekspertët paralajmërojnë se çdo ndërhyrje apo bllokim në këtë rrjet nuk do të kishte vetëm pasoja teknike si ngadalësim i internetit, por mund të ndikonte drejtpërdrejt në transaksionet bankare, bursat ndërkombëtare, shërbimet cloud, zinxhirët globalë të furnizimit dhe komunikimet kritike shtetërore.

Megjithatë, analistët theksojnë se aktualisht nuk ka prova për një sulm të afërt, por më shumë për një strategji presioni të Teheranit në një fushë të re: atë të “luftës së të dhënave”.