Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka hedhur poshtë propozimet e paraqitura nga Irani në kuadër të negociatave për përfundimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, duke i cilësuar ato si “krejtësisht të papranueshme”.
Reagimi i fortë i Trump vjen në një moment tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa të dyja palët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje për armëpushim dhe stabilizimin e situatës në rajon.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Irani ka kërkuar heqjen e menjëhershme të sanksioneve amerikane, zhbllokimin e aseteve financiare iraniane dhe përfundimin e operacioneve ushtarake në të gjitha frontet e konfliktit. Një tjetër kërkesë e fortë e Teheranit ka qenë njohja e kontrollit iranian mbi Ngushticën strategjike të Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin botëror të naftës.
Agjencia iraniane “Tasnim”, e afërt me Gardën Revolucionare, raportoi se Teherani kërkoi gjithashtu heqjen e bllokadës detare amerikane menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, si pjesë e kushteve për uljen e tensioneve.
Megjithatë, sipas mediave amerikane, kërkesat iraniane kanë shkaktuar pakënaqësi të madhe në Shtëpinë e Bardhë. Portali “Axios” raportoi se propozimet e Teheranit kanë shkuar përtej pritshmërive të negociatorëve amerikanë dhe janë konsideruar të papranueshme nga administrata Trump.
Vetë presidenti amerikan reagoi ashpër edhe në rrjetin e tij social “Truth Social”, ku shkroi se Irani ka “luajtur lojëra me Amerikën dhe botën për 47 vite” dhe se kjo situatë nuk do të vazhdojë më.
“Nuk më pëlqeu letra e tyre. Është tërësisht e papranueshme”, deklaroi Trump, duke lënë të kuptohet se negociatat mund të futen në një fazë të re përplasjesh diplomatike.
Trump konfirmoi gjithashtu se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ku në fokus kanë qenë pikërisht zhvillimet me Iranin dhe përgjigjja e Teheranit ndaj planit amerikan për armëpushim.
“Ishte një bisedë shumë e mirë. Kemi marrëdhënie të forta dhe po ndjekim nga afër situatën”, tha presidenti amerikan.
Nga ana tjetër, televizioni shtetëror iranian pretendon se propozimi amerikan është refuzuar pasi, sipas Teheranit, ai “barazohej me dorëzimin e Iranit përballë kërkesave të tepruara të Donald Trump”.
Pavarësisht tensioneve, burime diplomatike bëjnë me dije se kontaktet mes palëve nuk janë ndërprerë plotësisht dhe ndërmjetës ndërkombëtarë vijojnë përpjekjet për të shmangur një përshkallëzim të ri të konfliktit në Lindjen e Mesme.









