Trump “shpërthen” ndaj Iranit: Na kanë sulmuar prej 47 vitesh, por s’do ta tallin më Amerikën! – Sulm dhe për paraardhësit Obama e Biden

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar me tone të ashpra ndaj Iranit, vetëm pak orë pasi Teherani i përcolli Uashingtonit përgjigjen e tij për propozimin amerikan mbi armëpushimin dhe përfundimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Në një postim të publikuar në rrjetin e tij social “Truth Social”, Trump akuzoi Iranin se prej dekadash ka “luajtur lojëra” me Shtetet e Bashkuara dhe paralajmëroi se situata tashmë ka ndryshuar.

“Irani na ka sulmuar për 47 vite, por nuk do të qeshin më me Amerikën”, shkroi Trump, duke theksuar se SHBA-ja, sipas tij, është rikthyer më e fortë se kurrë.

Presidenti amerikan nuk kurseu kritikat as ndaj ish-presidentëve Barack Obama dhe Joe Biden, të cilët i akuzoi se kanë ndjekur politika të dobëta ndaj Teheranit.

Trump pretendoi se administrata Obama i dha Iranit miliarda dollarë dhe kontribuoi në forcimin e regjimit iranian. Ai e cilësoi Barack Obama-n si një “lider të dobët dhe të paaftë”, ndërsa për Joe Biden përdori sërish nofkën “Sleepy Joe”, duke deklaruar se administrata e tij ishte “edhe më e keqe”.

Sipas Trump, dobësia e administratave të mëparshme amerikane ka lejuar Iranin të zgjerojë ndikimin e tij në rajon dhe të sfidojë interesat amerikane për vite me radhë.

Deklaratat e tij vijnë në një moment delikat diplomatik, ndërsa SHBA-ja dhe Irani po zhvillojnë kontakte indirekte për një marrëveshje të mundshme armëpushimi dhe stabilizimi të situatës në Lindjen e Mesme.

Sipas raportimeve të fundit, Teherani nuk e ka refuzuar planin amerikan, por ka paraqitur kushtet e veta, duke kërkuar diskutime më të gjera për fundin e konfliktit, sigurinë rajonale dhe lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Megjithatë, në përgjigjen iraniane nuk raportohet të ketë referenca konkrete për programin bërthamor, çështje që vazhdon të mbetet një nga kërkesat kryesore të Uashingtonit në negociata.