Hormuzi në flakë/ SHBA dhe Irani përplasen me zjarr “të kufizuar” në Gjirin Persik

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë rikthyer fuqishëm në Ngushticën e Hormuzit, ku gjatë orëve të fundit janë raportuar shkëmbime zjarri dhe shpërthime pranë korridorit strategjik detar që lidh Gjirin Persik me Oqeanin Indian.

Sipas mediave iraniane, përfshirë agjencinë gjysmëzyrtare “Tasnim”, forcat amerikane dhe ato iraniane janë përfshirë në një “përplasje të kufizuar ushtarake”, ndërsa në zonën pranë Hormuzit janë dëgjuar të shtëna armësh për më shumë se dy orë.

Raportimet vijnë pasi ushtria amerikane ndërhyri ndaj dy anijeve cisternë të lidhura me Iranin, të cilat sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), po tentonin të thyenin bllokadën amerikane gjatë hyrjes në një port në Gjirin e Omanit.

Situata u tensionua edhe më shumë pas përplasjeve të një nate më parë, kur Teherani dhe Uashingtoni akuzuan njëri-tjetrin për sulme ndaj anijeve në Gjirin Persik dhe për shkelje të armëpushimit të shpallur së fundmi.

Pavarësisht përshkallëzimit, Shtëpia e Bardhë ka insistuar se marrëveshja për armëpushim vazhdon të jetë në fuqi, ndërsa diplomacia po përpiqet të shmangë një konflikt të hapur në rajon.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, deklaroi se SHBA pret një përgjigje zyrtare nga Irani lidhur me propozimin për t’i dhënë fund konfliktit të nisur pas sulmeve SHBA-Izrael ndaj objektivave iraniane në fund të muajit shkurt.

Në të njëjtën kohë, autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan për një valë të re sulmesh, ku mbetën të plagosur të paktën tre persona. Sipas mediave iraniane, origjina e këtyre sulmeve mbetet ende e paqartë.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme energjetike në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e eksporteve globale të naftës. Çdo përshkallëzim në këtë zonë rrezikon të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe sigurinë globale.