Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka ndezur debat të madh në SHBA dhe në mbarë botën pas publikimit të një serie dokumentesh dhe videosh të deklasifikuara mbi Fenomenet Anomale të Paidentifikuara (UAP), të njohura gjerësisht si UFO.
Shtëpia e Bardhë e cilësoi këtë veprim si një nga hapat më të mëdhenj drejt transparencës mbi fenomenet ajrore të paidentifikuara dhe mundësinë e ekzistencës së jetës jashtëtokësore.
Materialet e publikuara përfshijnë video, fotografi dhe dokumente origjinale të mbledhura ndër vite nga institucione amerikane të sigurisë, ushtria, NASA dhe agjenci të tjera federale. Sipas administratës Trump, dosjet janë bërë publike pa pasur nevojë për autorizime speciale sigurie, me argumentin se qytetarët amerikanë kanë të drejtë të njohin informacionet që qeveria ka mbajtur të fshehta për dekada.
“Administratat e mëparshme tentuan të diskreditonin dhe të heshtnin diskutimet mbi këto fenomene. Presidenti Trump beson se publiku meriton transparencë të plotë dhe duhet të gjykojë vetë mbi atë që përmbajnë këto dokumente”, thuhet në deklaratën zyrtare të Shtëpisë së Bardhë.
Publikimi është bërë në kuadër të programit “PURSUE”, një iniciativë e krijuar për deklasifikimin e dokumenteve që lidhen me UFO-t dhe fenomenet e tjera të pashpjegueshme ajrore.
Një pjesë e madhe e vëmendjes është përqendruar te fotografitë e realizuara gjatë misioneve historike “Apollo 12” dhe “Apollo 17”, ku sipas dokumenteve shfaqen objekte të çuditshme dhe të paidentifikuara në hapësirë. Në një nga fotot e publikuara nga sipërfaqja e Hënës dallohen tre pika misterioze në qiell, të cilat kanë nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe në komunitetin shkencor.

Po ashtu, dokumentet përmbajnë transkripte komunikimesh mes astronautëve të “Apollo 17” dhe qendrës së komandës në Tokë, ku përmenden “grimca të ndritshme” dhe objekte me forma të pazakonta që lëviznin pranë anijes hapësinore.
Edhe FBI ka publikuar disa fotografi të vitit 1999, ku në të njëjtën pamje me avionë ushtarakë amerikanë shfaqen objekte të tjera të paidentifikuara në qiell.

Pak muaj më parë, Donald Trump kishte reaguar ndaj deklaratave të ish-presidentit Barack Obama, i cili kishte folur publikisht për ekzistencën e fenomeneve të pashpjegueshme ajrore gjatë një interviste në një podkast.
“Ai zbuloi informacion të klasifikuar. Nuk duhej ta bënte këtë”, deklaroi Trump në atë kohë.
Më pas, përmes rrjetit të tij social “Truth Social”, presidenti amerikan njoftoi nisjen e procesit për deklasifikimin e dokumenteve që lidhen me alienët, UFO-t dhe jetën jashtëtokësore.
“Nisur nga interesi i jashtëzakonshëm i publikut, kam udhëzuar institucionet përkatëse që të identifikojnë dhe publikojnë dosjet qeveritare që lidhen me fenomenet ajrore të paidentifikuara dhe çdo informacion tjetër mbi jetën jashtëtokësore”, shkroi Trump.
Publikimi është përshëndetur edhe nga figura të rëndësishme të administratës amerikane. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se “ka ardhur momenti që populli amerikan t’i shohë vetë këto dosje”, ndërsa Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, tha se ky është vetëm fillimi i një procesi më të gjerë transparence.
Edhe drejtori i FBI-së, Kash Patel, e quajti publikimin “një nivel transparence që asnjë administratë e mëparshme nuk e ka ofruar”.
Nga ana tjetër, administratori i NASA-s, Jared Isaacman, theksoi se agjencia amerikane do të vazhdojë të ndjekë provat shkencore dhe të publikojë çdo informacion që lidhet me fenomenet e panjohura në univers.

Publikimi i dosjeve ka rikthyer fuqishëm debatet globale mbi ekzistencën e inteligjencës jashtëtokësore, ndërsa miliona amerikanë po analizojnë tashmë dokumentet dhe pamjet që për vite me radhë kanë qenë të klasifikuara si sekrete shtetërore.









