VIDEO/ Përplasje të forta në PD Korçë – Ish drejtuesi i qarkut, Salianji nuk i kursehet Berishës: Demokratët nuk janë dele për pazare!

Tensionet në garën për kreun e degës së Partisë Demokratike në Korçë janë përshkallëzuar, duke u shoqëruar me debate të ashpra dhe ndërprerje të njëpasnjëshme të procesit të votimit. Situata ka nxitur reagime të forta edhe nga figura të njohura të PD-së.

Ish-deputeti, ish-drejtues i këtij qarku, Ervin Salianji ka reaguar publikisht, duke mbështetur qëndrimin e demokratëve të Korçës dhe duke kritikuar ashpër zhvillimet e fundit. Në një deklaratë të fortë, ai theksoi se anëtarët e PD-së nuk mund të trajtohen si “dele” dhe nuk do të pranojnë imponime politike.

Salianji u shpreh se demokratët e Korçës po tregojnë guxim duke kundërshtuar, sipas tij, përpjekjet për marrëveshje të fshehta politike. Ai hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj Sali Berishës dhe Edi Ramës, duke i cilësuar zhvillimet si pjesë e një “regjimi Rama–Berisha”.

Sipas tij, është e papranueshme që Partia Demokratike në Korçë të vihet nën ndikim apo t’i “falet” Niko Peleshi, duke theksuar se demokratët mund ta përballin atë vetëm përmes votës dhe jo përmes marrëveshjeve të fshehta.

“Demokratët janë guximtarë, jo dele! Nuk pranojnë që t’i drejtojnë nga prapaskena me kulisa, tendera dhe përfitime. Korça nuk shitet, demokratët nuk përdoren,” – është shprehur Salianji.

Ndërkohë, situata në degën e PD-së në Korçë mbetet e tensionuar, me procesin zgjedhor që rrezikon të shtyhet për shkak të mosmarrëveshjeve të thella mes palëve.