Ursula von der Leyen ngre alarmin – Evropa po “rrjedh” 500 milionë euro në ditë nga kriza e Lindjes së Mesme

Presidentja e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar një kosto të rëndë ekonomike për Bashkimin Evropian si pasojë e tensioneve dhe luftës në Lindjen e Mesme, duke deklaruar se humbjet ditore arrijnë rreth 500 milionë euro.

Në një fjalim në Parlamentin Evropian, ajo theksoi se vetëm në 60 ditët e fundit të konfliktit, fatura e importit të energjisë nga lëndët djegëse fosile është rritur me mbi 27 miliardë euro, pa sjellë asnjë rritje në prodhimin energjetik të brendshëm të Evropës.

Sipas saj, kjo situatë tregon varësinë e lartë të Bashkimit Evropian nga importet e energjisë dhe ekspozimin e ekonomive evropiane ndaj krizave gjeopolitike.

Ursula von der Leyen u bëri thirrje vendeve anëtare të përshpejtojnë tranzicionin energjetik, duke ulur varësinë nga nafta dhe gazi i importuar dhe duke rritur prodhimin vendas të energjisë së pastër.

Ajo kërkoi gjithashtu koordinim më të ngushtë mes shteteve të BE-së për menaxhimin e rezervave të karburanteve dhe forcimin e kapaciteteve të rafinerive, për të shmangur goditje të mëtejshme ekonomike në të ardhmen.

Kriza aktuale, sipas Komisionit Evropian, po e vendos ekonominë e BE-së përballë një presioni të vazhdueshëm financiar dhe energjetik, me ndikim të drejtpërdrejtë në tregje dhe çmime për konsumatorët.