Pas incidentit me të shtëna në darkën e presidentit të SHBA reagon shefi i FBI – Kash Patel: Krenar që punoj për Trump

Drejtori i FBI, Kash Patel, ka reaguar pas të shtënave gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, duke falënderuar forcat e rendit për ndërhyrjen.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, ai vlerësoi reagimin e autoriteteve, duke theksuar se “mbrëmë pamë më të mirën e lidershipit amerikan”.

“Jam krenar që punoj për presidentin Donald Trump, i cili mbështet fuqimisht zbatimin e ligjit – dhe krenar që drejtoj këtë agjenci që punon 24/7 për të mbajtur amerikanët të sigurt,” u shpreh Patel.

Ai bëri të ditur se hetimet për ngjarjen vijojnë dhe u bëri thirrje qytetarëve që kanë informacion të bashkëpunojnë me autoritetet.

Pas incidentit, Presidenti Trump, Zonja e Parë Melania Trump dhe Zëvendëspresidenti JD Vance u evakuuan me urgjencë nga salla në hotelin Washington Hilton.

Në një konferencë për shtyp, Trump e cilësoi autorin si “një person të sëmurë”, duke theksuar se ai u neutralizua nga agjentët e Shërbimit Sekret pasi tentoi të kalonte një pikë kontrolli sigurie i armatosur.