Në Itali ka pasur reagime të forta pas raportimeve se mund t’i ofrohej kombëtares italiane një vend në Kupën e Botës, si zëvendësim i Iranit. Ministri i Sportit, Andrea Abodi, e ka refuzuar prerë këtë ide, duke theksuar se pjesëmarrja në turne duhet të fitohet vetëm përmes rezultateve sportive.
“Një mundësi e dytë për Italinë në Botëror? Nuk është e pranueshme. Duhet të kualifikohesh në fushë,” u shpreh Abodi, duke reaguar ndaj raportimeve ndërkombëtare për një propozim të ardhur nga rrethi i presidentit amerikan Donald Trump, sipas të cilave Italia mund të zëvendësonte Iranin në kompeticion.
Deklarata ka nxitur debat të gjerë, ndërsa edhe zyrtarë të tjerë italianë kanë mbajtur të njëjtin qëndrim. Presidenti i Komitetit Olimpik Italian theksoi se një skenar i tillë “nuk është as i pranueshëm dhe as i mundshëm”, duke shtuar se kualifikimi duhet të fitohet sportivisht. Edhe Ministri i Ekonomisë e cilësoi idenë si “të turpshme”.
Nga ana tjetër, përfaqësues të Iranit kanë kritikuar çdo ndërhyrje politike në futboll, duke theksuar se sporti duhet të mbetet i ndarë nga politika.
Italia, e cila ka munguar në dy edicionet e fundit të Kupës së Botës, vijon të theksojë se rikthimi në turne duhet të vijë vetëm përmes performancës në fushë.









