Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se nuk ndodhet nën presion për të arritur shpejt një marrëveshje me Iranin për t’i dhënë fund konfliktit, duke theksuar se koha po punon në favor të Uashingtonit.
Në një postim në rrjetin e tij “Truth Social”, Trump u shpreh se ka “gjithë kohën e botës”, ndërsa shtoi se situata është e kundërt për Iranin, duke përdorur shprehjen: “Ora po ecën”.
Ai pretendoi gjithashtu se pozicioni ushtarak i Iranit është dobësuar ndjeshëm, duke përmendur flotën detare, forcat ajrore dhe sistemet mbrojtëse, të cilat sipas tij janë “shkatërruar ose neutralizuar”. Këto deklarata vijnë në një kohë tensionesh të larta mes dy vendeve.
Trump theksoi se çdo marrëveshje e mundshme për përfundimin e konfliktit do të bëhet vetëm sipas kushteve të Shteteve të Bashkuara dhe në një afat kohor të përcaktuar nga vetë Uashingtoni, duke shtuar se një zgjidhje do të arrihet vetëm kur të jetë “e favorshme për SHBA-në, aleatët dhe stabilitetin global”.
Më herët gjatë ditës, ai kishte shprehur gjithashtu pakënaqësi ndaj udhëheqjes iraniane, duke kërkuar një propozim të unifikuar për t’i dhënë fund luftës.









