Udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, ka bërë thirrje që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur për lundrim të lirë, duke theksuar rëndësinë strategjike të saj për tregtinë dhe furnizimet globale me energji.
Në një bisedë telefonike me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, Xi deklaroi se kjo rrugë detare duhet të funksionojë normalisht, pasi i shërben interesave të përbashkëta të vendeve të rajonit dhe të komunitetit ndërkombëtar në tërësi.
“Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur për lundrim normal, në interes të përbashkët të rajonit dhe botës,” u shpreh Xi Jinping, sipas transmetuesit shtetëror kinez CCTV.
Ai përsëriti gjithashtu qëndrimin e Pekinit për nevojën e një armëpushimi të menjëhershëm dhe përpjekjeve diplomatike për të ndalur konfliktet në Lindjen e Mesme.
Kina ka paraqitur së fundmi një propozim me katër pika për paqe në rajon, duke shtuar presionin diplomatik për uljen e tensioneve.
Ngushtica e Hormuzit, e cila lidh Gjirin Persik me Oqeanin Indian, konsiderohet një nga arteriet më të rëndësishme të energjisë në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e naftës dhe gazit global.
Ndërkohë, tensionet në rajon janë rritur pas zhvillimeve të fundit ushtarake dhe incidentit me një anije iraniane në Gjirin e Omanit, çka ka shtuar pasigurinë mbi bisedimet për armëpushim mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Kina, si një nga blerësit më të mëdhenj të naftës iraniane, ka shprehur shqetësim për rritjen e çmimeve të energjisë dhe ndikimin e mundshëm në ekonominë globale.









