SPAK ka bërë publik identifikimin e 11 personave të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të njohur si “Pepa”, i cili akuzohet për trafikimin e rreth 7.5 tonëve kokainë nga Ekuadori drejt Europës.
Sipas hetimeve, grupi dyshohet se është drejtuar nga Jetmir Pepaj, i njohur edhe me emrin Jetmir Marashi, dhe ka operuar në disa vende, përfshirë Amerika Latine, Belgjika dhe Holanda.
Mes të dyshuarve përmenden disa persona me mbiemra Pepaj, Marku, Lleshi dhe të tjerë, të cilët sipas SPAK kanë qenë të përfshirë në disa episode të trafikut të drogës gjatë viteve 2019–2021.
Hetimet tregojnë se droga transportohej kryesisht nga Amerika Latine drejt porteve europiane si Roterdam dhe Amsterdam, duke përdorur metoda të ndryshme fshehjeje në kontejnerë me produkte ushqimore dhe mallra tregtare.
SPAK thotë se grupi është i lidhur me të paktën 8 episode trafiku, ku sasitë e kokainës varionin nga qindra kilogramë deri në mbi 2 ton për ngarkesë, disa prej të cilave janë sekuestruar nga autoritetet ndërkombëtare.
Në kuadër të hetimit, janë sekuestruar gjithashtu rreth 232 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me një vlerë të përgjithshme që shkon në rreth 12 milionë euro, si pjesë e goditjes ndaj rrjetit kriminal.
Hetimet ndërkombëtare vijojnë në bashkëpunim me autoritetet europiane dhe latino-amerikane për zbardhjen e plotë të aktivitetit të grupit.









