Një armëpushim i brishtë është vendosur mes Izraelit dhe Libanit, pas ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të presidentit amerikan Donald Trump, i cili i ka kërkuar Tel Avivit të ndalojë sulmet ajrore në territorin libanez.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, vendimi i Uashingtonit ka shkaktuar reagim të fortë në Izrael, ku kryeministri Benjamin Netanyahu është shprehur “i tronditur” nga qëndrimi i papritur i Shtëpisë së Bardhë dhe ka kërkuar sqarime zyrtare nga administrata amerikane.
Trump ka deklaruar në rrjetin e tij social Truth se Izraeli nuk do të vijojë më bombardimet ndaj Libanit, duke theksuar se ndalimi i sulmeve është rezultat i ndërhyrjes së tij direkte. Kjo vjen në një moment kur përplasjet 45-ditore mes palëve kanë shkaktuar mbi 2.200 viktima dhe dëme të mëdha në rajon.
Armëpushimi është i lidhur me përpjekjet për rifillimin e negociatave në Washington, ku Shtetet e Bashkuara po ndërmjetësojnë një marrëveshje të re. Sipas pikave të publikuara nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së, marrëveshja mund të zgjatet në varësi të progresit në bisedime. Izraelit i njihet e drejta për vetëmbrojtje, por operacionet ofensive në territorin libanez duhet të ndërpriten, ndërsa Libani duhet të forcojë kontrollin ndaj aktiviteteve të Hezbollah.
Megjithatë, situata në terren mbetet e tensionuar. Vetëm në ditën e parë të armëpushimit janë raportuar incidente në jug të Libanit, përfshirë një të vrarë nga një dron izraelit. Në të njëjtën kohë, Hezbollah ka deklaruar se forcat e tij mbeten në gatishmëri të lartë, duke paralajmëruar se “gishti mbetet në këmbëz”, çka e bën marrëveshjen tepër të brishtë dhe të pasigurt për të ardhmen.









