Durim Bami është transferuar në Burgun e Fushë-Krujës, pas vendimit të ri të marrë nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi. Ky zhvillim vjen rreth një muaj pasi kërkesa e tij për zhvendosje nga Burgu 313 ishte refuzuar.
Sipas burimeve, transferimi u realizua më 17 prill 2026, duke ndryshuar qëndrimin e mëparshëm të institucionit, i cili kishte argumentuar se siguria e Bamit garantohej brenda ambienteve të burgut në Tiranë.
Bami kishte kërkuar zhvendosjen përmes avokatit të tij, Ilir Murati, duke pretenduar se qëndrimi në “313” përbënte rrezik për jetën e tij, për shkak të pranisë së Emiljano Shullazi, me të cilin thuhet se ka pasur konflikte serioze.
Fillimisht, kërkesa ishte rrëzuar nga ish-drejtori Klevis Qose, edhe për arsye logjistike, pasi Bami duhet të transportohej rregullisht drejt SPAK për procesin gjyqësor që lidhet me dosjen “Metamorfoza 2”.
Durim Bami u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe në fund të shkurtit 2026 dhe ndaj tij është caktuar masa “arrest në burg”. Ai përballet me disa akuza të rënda, përfshirë përfshirjen në grup të strukturuar kriminal dhe sigurimin e kushteve për kryerje vrasjesh.
Transferimi i tij në Fushë-Krujë shihet si një masë për të rritur sigurinë personale, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij vijon në institucionet e drejtësisë në Shqipëri.









