Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka njoftuar se Franca dhe Mbretëria e Bashkuar do të ndërmarrin një nismë të përbashkët për krijimin e një “misioni shumëkombësh paqësor” me qëllim rikthimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga arteriet më të rëndësishme të tregtisë globale të naftës dhe gazit.
Sipas Macron, misioni do të ketë karakter strikt mbrojtës dhe do të jetë i ndarë nga palët e përfshira në konflikt, duke synuar garantimin e qarkullimit të sigurt detar në këtë zonë strategjike.
“Ne, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, do të organizojmë një konferencë me vendet që duan të kontribuojnë në një mision shumëkombësh paqësor për të rivendosur lirinë e lundrimit në ngushticë”, deklaroi Macron.
Ai shtoi se ky mision do të vendoset sapo ta lejojnë rrethanat, duke theksuar se nuk do të jetë pjesë e asnjërës palë në konflikt.
Deklarata e tij vjen në një moment tensioni të lartë ndërkombëtar, pasi presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi marinën e Shteteve të Bashkuara të vendosë një bllokadë ndaj Ngushticës së Hormuzit, duke përfshirë edhe kufizime për anijet që hyjnë ose dalin nga portet iraniane.
Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer është distancuar nga vendimi amerikan, duke bërë të ditur se Mbretëria e Bashkuar nuk do t’i bashkohet bllokadës detare të shpallur nga Uashingtoni.









