Lufta me dollarin anerikan – Irani propozon monedhën në të cilën do duhet të paguajnë anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit

Irani po shqyrton një lëvizje që mund të ketë ndikim të gjerë në tregtinë ndërkombëtare, duke propozuar që tarifat për kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit të paguhen në monedhën kombëtare, rial.

Propozimi është bërë publik nga kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në parlamentin iranian, përmes një njoftimi të shpërndarë nga Konsullata e Përgjithshme e Iranit në Mumbai. Sipas tij, kjo nismë synon të ndryshojë mënyrën e pagesave për tranzitin në një nga korridoret më të rëndësishme të energjisë në botë.

Kjo ide vjen në një moment kur, sipas analizave të publikuara nga Al Jazeera, Irani dhe Kina po kërkojnë aktivisht alternativa për të reduktuar varësinë nga dollari amerikan në transaksionet globale.

Gjatë periudhës së fundit të tensioneve dhe bllokimit të pjesshëm të ngushticës, autoritetet iraniane kishin aplikuar tarifa tranziti për anijet tregtare, të cilat në disa raste janë paguar edhe në juan kinez, një zhvillim që shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë financiare.

Megjithëse nuk ka ende një vendim përfundimtar për zbatimin e plotë të kësaj skeme, ekspertët paralajmërojnë se një hap i tillë mund të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë dhe në balancat monetare ndërkombëtare, duke rritur tensionet ekonomike mes fuqive të mëdha.