Skandali financiar – Banka e Shqipërisë i heq licencën kompanisë së Ermal Beqirit pas përfshirjes së tij në hetimet për AKSHI-n

Banka e Shqipërisë ka vendosur të shfuqizojë licencën e institucionit financiar të parasë elektronike “Soft & Solution”, kompani në pronësi të biznesmenit Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për skandalin e AKSHI.

Vendimi vjen pas zhvillimeve të fundit hetimore nga SPAK, e cila ka lëshuar urdhër arresti ndaj Beqirit që në dhjetor të vitit të kaluar, nën dyshimet për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal.

Megjithëse akuzat nuk lidhen drejtpërdrejt me aktivitetin financiar të kompanisë, Banka e Shqipërisë ka argumentuar se subjekti nuk plotëson më kriterin e “reputacionit të përshtatshëm” të aksionarit – një kusht kyç për operimin në sektorin financiar.

Kompania “Soft & Solution” ishte licencuar në vitin 2021 si institucion i parasë elektronike, ndërsa aktivitetin e kishte nisur vetëm gjatë vitit të kaluar përmes platformës së pagesave “ALPay”, e integruar edhe me shërbimet e portalit shtetëror e-Albania.

Ndërkohë, hetimet ndaj Beqirit janë bashkuar me dosjen e abuzimeve të dyshuara në tenderat e AKSHI, institucion i drejtuar nga Mirlinda Karçanaj.

Sipas organit të akuzës, Beqiri, së bashku me Ergys Agasi, dyshohet se kanë qenë pjesë e një rrjeti që ushtronte presion mbi kompani private për t’i detyruar të tërhiqeshin nga garat publike, duke krijuar një situatë të favorizimit dhe përqendrimit të fondeve në pak duar.

Ky zhvillim pritet të thellojë më tej hetimet mbi mënyrën e shpërndarjes së tenderave publikë në sektorin e teknologjisë dhe shërbimeve digjitale në Shqipëri, ndërsa çështja konsiderohet një nga skandalet më të mëdha të viteve të fundit në këtë fushë.