REKURSI/ Vangjush Dako sfidë drejtësisë – I kërkon Gjykatës së Lartë ta shpallë të pafajshëm…

Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, së bashku me tre të bashkëpandehurit e tij, i është drejtuar Gjykata e Lartë e Shqipërisë me rekurs, duke kërkuar ndryshimin e vendimeve të mëparshme dhe shpalljen e pafajësisë.

Dosja tashmë pritet të shqyrtohet nga një kolegj penal, me relator gjyqtarin Gent Shala.

Vangjush Dako ishte shpallur më herët fajtor për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe ishte dënuar me 4 vite burg, dënim i cili u ul në 2 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Përveç heqjes së lirisë, ndaj tij u vendos edhe ndalimi për ushtrimin e funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare.

Sipas vendimeve të mëparshme gjyqësore, ai dhe bashkëpandehurit e tjerë janë gjetur fajtorë për shkelje në procedurat e dhënies së lejes së ndërtimit për një pallat shumëkatësh, si dhe për abuzim me fondet publike gjatë ndërtimit të një shëtitoreje në zonën bregdetare të Durrësit.

Tashmë, me rekursin në Gjykatën e Lartë, çështja pritet të rihapet në një nga shkallët më të larta të sistemit gjyqësor, ku mbrojtja kërkon rrëzimin e dënimit dhe shpalljen e plotë të pafajësisë.