Armëpushim 2-javor SHBA–Iran – Trump vendos kushtin për Hormuzin: Teherani dorëzon plan me 10 pika

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar arritjen e një armëpushimi të përkohshëm dyjavor me Iranin, vetëm pak kohë para skadimit të ultimatumit të vendosur nga Uashingtoni. Marrëveshja, sipas tij, është rezultat i bisedimeve me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, dhe kreun e ushtrisë pakistaneze, Asim Munir.

Trump theksoi se pezullimi i sulmeve ndaj Iranit vjen me një kusht të qartë: rihapjen e menjëhershme dhe të sigurt të Ngushticës së Hormuzit, një arterie jetike për transportin global të energjisë. Ai e cilësoi këtë marrëveshje si një armëpushim të dyanshëm që mund të hapë rrugën drejt një zgjidhjeje më të qëndrueshme.

Sipas presidentit amerikan, Irani ka paraqitur një propozim me 10 pika, i cili konsiderohet një bazë e pranueshme për negociata të mëtejshme. Ai shtoi se shumica e çështjeve të mëparshme janë afër zgjidhjes dhe se periudha dyjavore do të shërbejë për finalizimin e një marrëveshjeje afatgjatë për paqen në rajon.

Trump nënvizoi se objektivat ushtarake të SHBA-së tashmë janë arritur dhe se tani fokusi është tek stabiliteti dhe marrëveshja përfundimtare. Kujtojmë se më herët ai kishte paralajmëruar pasoja të rënda nëse Irani nuk do të pranonte kushtet për hapjen e Hormuzit, duke vendosur një afat të prerë për zbatimin e tyre.