“SHBA nuk do t’ju mbrojë më” – Trump kritika të forta Evropës: Luftoni vetë për naftën

Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar sërish vendet evropiane, duke i akuzuar se nuk kanë mbështetur mjaftueshëm përballjen ndaj Iranit.

Në një reagim në platformën Truth Social, ai iu drejtua shteteve që po përballen me mungesa karburanti për shkak të tensioneve në Ngushticën e Hormuzit, duke i nxitur të veprojnë vetë për sigurimin e furnizimeve.

Trump deklaroi se aleatët evropianë duhet të tregojnë më shumë vendosmëri dhe të “luftojnë për veten”, duke paralajmëruar se SHBA nuk do të jetë më gjithmonë në krah të tyre.

Ai përmendi veçanërisht Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën, për të cilat shprehu kritika të forta lidhur me qëndrimin e tyre ndaj Iranit dhe konfliktit në rajon.

Sipas Trump, situata aktuale kërkon që vendet evropiane të marrin përgjegjësi më të madhe për sigurinë dhe furnizimet e tyre energjetike, ndërsa theksoi se SHBA ka kapacitete të mjaftueshme për të furnizuar tregun.