Putin: “Nuk kemi asnjë faj” – akuzon Perëndimin për krizën Rusi–Evropë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se marrëdhëniet mes Rusisë dhe vendeve evropiane ndodhen në krizë, por sipas tij, Moska nuk mban asnjë përgjegjësi për përkeqësimin e tyre.

Gjatë një videokonference me anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Putin u shpreh se vendi i tij nuk ka hequr dorë nga mundësia e normalizimit të marrëdhënieve me Evropën.

“Marrëdhëniet e Rusisë me vendet evropiane janë në krizë pa asnjë faj tonin. Ne kurrë nuk kemi hequr dorë nga zhvillimi dhe rivendosja e këtyre marrëdhënieve,” u shpreh ai.

Duke komentuar shkaqet e tensioneve, ai hodhi poshtë pretendimet se lufta në Ukrainë është burimi kryesor i krizës, duke thënë se këto raportime “nuk kanë bazë të mjaftueshme”.

Sipas tij, përgjegjësinë për situatën aktuale e mbajnë administratat e mëparshme amerikane dhe disa vende kryesore evropiane, të cilat, sipas tij, kanë kontribuar në përshkallëzimin e tensioneve.

Ai iu referua gjithashtu ngjarjeve të vitit 2014 në Ukrainë, duke pretenduar se ndryshimet politike të asaj kohe, të mbështetura nga Perëndimi, kanë nisur një zinxhir zhvillimesh që vazhdojnë edhe sot.